Telegrafi

S’do të ketë rritje të pagave vitin e ardhshëm

Punonjësit e administratës shtetërore nuk do të vërejnë asnjë dallim në pagat e muajit janar të vitit të ardhshëm, në krahasim me ato të këtij viti. Rritja e premtuar e pagave edhe për vitin e ardhshëm prej 25 për qind për shërbyesit civilë që paguhen nga buxheti i shtetit, nuk do të ndodhë.

Rritja e buxhetit në kategorinë e pagave në projektbuxhetin e vitit 2015 për 60 milionë euro nuk ka të bëjë me ndryshimin e pagave për vitin e ardhshëm. “Shtimi i kësaj shume është bërë për shkak se në buxhetin e vitit 2014 nuk ishte paraparë rritja e pagave. Rritja e shumës në kategorinë e pagave në projektbuxhetin e vitit 2015 është bërë me qëllim që rritja e pagave që është bërë vitin e kaluar të vazhdojë edhe këtë vit, mirëpo nuk do të ketë rritje të re të pagave”, ka thënë një burim brenda qeverisë. Sipas tij, rritja e pagave mund të ndodhë nëse qeveria e re ka vullnet për një gjë të tillë. “Edhe pse në buxhet nuk është bërë rritja e pagave, megjithatë kjo mund të bëhet përmes një vendimi të veçantë”, ka thënë burimi.

Mirëpo, kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shuar shpresat e shërbyesve civilë për rritje të pagave. Ai thotë se nuk do t’i rritë pagat që i kishte premtuar ish-kryeministri Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se i duket e shtrenjtë edhe autostrada Prishtinë-Shkup, por sipas tij, ai nuk mund ta ndalë atë.

Në një intervistë për Reuters, ka thënë se do t’i ulë taksat për disa biznese dhe do t’iu ofrojë taksë të sheshtë disa bizneseve që krijojnë vende të reja pune. Ai ka thënë se rritja e pagave për 25 për qind, që e kishte premtuar Hashim Thaçi, është e pamundur. “Do t’i rrisim pagat në linjë me rritjen ekonomike”, ka thënë ai. Ekonomia e Kosovës parashikohet të rritet 3.5 për qind këtë vit, ndërsa 4.1 për qind më 2015. /Tribuna/Telegrafi/