Bastian Schweinsteiger i ka sugjeruar Joachim Lowit që të riftojë dy lojtarë, pas humbjes 6-0 që Gjermania e pësoi përballë Spanjës në Ligën e Kombeve.
Legjenda e Bayern Munichut ka thënë se Thomas Muller dhe Jerome Boateng duhet të rikthehen në skuadrën e trajnerit, për të rikthyer rezultatet pozitive.
Anësori i Manchester Cityt, Ferran Torres shënoi het-trik, duke ndihmuar kështu Furinë e Kuqe që të marrë fitoren e thellë përballë ish-kampionit të botës.
Dhe Schweinsteiger, që ka bërë 100 paraqitje me Gjermaninë, para se të pensionohej në vitin 2016, ka kërkuar rikthimin e dy lojtarëve në kombëtare.
“Ju mund të humbni ndaj një skuadre të tillë, mirëpo jo 6-0”, ka thënë Schweinsteiger për ARD.
“Ajo që më mërziti më shumë, ishte se ata nuk luftuan, ata nuk ndiheshin si skuadër e bashkuar. Ju nuk dëgjonit asnjë urdhër tjetër, përveç ato të spanjollëve. Ata ishin superior në çdo aspekt”.
“Lojtarë si Jerome Boateng dhe Thomas Muller, që kanë fituar tripletën, me skuadrën më të mirë në Evropë, duhet të jenë aty. Duhet të jenë aty për të ndihmuar skuadrën që të fitojnë ndeshjet”, ka shtuar më tej legjenda gjermane. /Telegrafi/