“Liderët e G7 nuk e diskutuan fare propozimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për paqe në Ukrainë, sepse të gjithë e dinin se propozimi nuk ishte serioz”, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Duke folur në Itali pak para se të nisej për Zvicër, Scholz tha se Putini e bëri këtë propozim vetëm sa për ta shpërqendruar vëmendjen nga samiti në Zvicër.
Putin u zotua të premten se do të urdhërojë “menjëherë” armëpushim në Ukrainë dhe fillim të bisedimeve, nëse Kievi fillon t’i tërheqë trupat nga katër rajone ukrainase që Moska pretendon se i takojnë asaj, dhe nëse heqë dorë nga kërkesa për t’iu bashkuar NATO-s.
“Të gjithë e dimë se ky propozim nuk u tha seriozisht, por kishte të bënte diçka me konferencën për paqe në Zvicër”, tha Scholz.
Bëhet e ditur se kushtet e parashtruara nga Putin, të cilat janë paraqitur nga zyrtarët rusë disa herë në të kaluarën, u refuzuan edhe një herë nga Ukraina, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ofertës së presidentit rus për armëpushim nuk mund t’i besohet.
Ndryshe, dhjetëra liderë botërorë janë mbledhur në Zvicër në përpjekje për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës mbi dyvjeçare në Ukrainë.
Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare po marrin pjesë në takimet e samitit, i cili do të mbahet në një resort në qytetin Burgenstok.
Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, dhe liderët e Francës, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Japonisë, janë në mesin e atyre që marrin pjesë.
Por, Moska nuk u ftua fare në këtë samit, të cilin zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar si “samiti për paqe”.
Edhe para deklaratave të Putinit më 14 qershor, zyrtarët rusë e kanë hedhur poshtë samitin duke e cilësuar si të “pavlerë”. Kjo e ka nxitur Kinën, e cila është partnere e madhe e Moskës në tregti dhe i mbështet shumicën e qëndrimeve të Moskës në arenën ndërkombëtare, që të mos marrë pjesë.