Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka pritur sot në Berlin, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin.
Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky proces e afron rajonin më shumë drejt BE-së.
Ai ka thënë se tash është momenti për më shumë progres.
“10-vjetori i Procesit të Berlinit vendtakim e ka pikërisht kryeqendrën e Gjermanisë. Një dekadë vullnet, punë e angazhim për ta afruar rajonin tonë më shumë drejt BE-së. Berlini është vendi dhe tash është momenti për më shumë progres, e për ta bërë këtë samit jubilar të suksesshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, në Kancelarinë Federale pret kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, në jubileun e 10-vjetorit të Samitit të Berlinit pritet miratimi i planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit.
Ndryshe, Procesi i Berlinit, i krijuar në vitin 2014 për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një nismë e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. /Telegrafi/