Telegrafi

Scholz përsërit se nuk do të dërgojë armë gjermane në Ukrainë

Kancelari Olaf Scholz këmbëngul se Gjermania nuk do të dorëzojë asnjë armë në Ukrainë, por para takimit me presidentin amerikan Joe Biden ai foli për vendosjen e Bundeswehr-it në shtetet baltike.

“Qeveria federale ka pasur një kurs të qartë për shumë vite, që ne nuk dërgojmë në zonat e krizës dhe se nuk i dërgojmë armë vdekjeprurëse Ukrainës”, tha politikani i SPD-së sot në programin e ARD-së, “Raport nga Berlini”, para se të nisej për vizitën e tij inauguruese te presidenti Biden.

Ai tha se një qëndrim të ngjashëm ka pasur edhe ish-kancelarja Angela Merkel.

“Paraardhësi im mendonte kështu, dhe kjo ishte e saktë. Dhe kjo qëndron e vërtetë”, tha Scholz duke shtuar se shumica e gjermanëve e shohin atë në të njëjtën mënyrë.

“Ka edhe deklarata të tjera me zë të lartë në publik. Por obligimi im është të bëj atë që është në interes të popullit gjerman dhe që në këtë rast është edhe pikëpamja e qytetarëve të vendit tonë”, tha ai.

Megjithatë, kancelari gjerman solli në “lojë” vendosjen e Bundeswehr-it në shtetet baltike.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta forcuar atë”, tha ai, duke iu referuar ushtarëve gjermanë të stacionuar tashmë në Lituani.

“Është e rëndësishme t’i kundërvihemi Rusisë me një strategji të qartë nga aleatët”, tha Scholz, përcjell Die Welt.

Scholz akuzohet nga partnerët e NATO-s në Evropën Lindore, por edhe nga SHBA-ja se nuk i ka bërë presion të mjaftueshëm Rusisë në krizën e Ukrainës.

Scholz do të takojë Biden të hënën gjatë vizitës së tij inauguruese.

Fokusi do të jetë në konfliktin në Ukrainë.

SHBA ka kritikuar Gjermaninë se nuk e ka braktisur gazsjellësin ruso-gjerman Nord Stream 2 dhe se nuk po dëshiron të dërgojë armë në Ukrainë. /kp/Telegrafi/