Kancelari gjerman, Olaf Scholz sot në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në dialog, duke kërkuar kështu nga të dyja palët zotim të qartë, konstruktivitet dhe pragmatizëm.
Scholz theksoi se dialogu është shumë i rëndësishëm dhe se marrëveshja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidh edhe çështjen e njohjes së Kosovës.
“Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjes gjithëpërfshirëse të gjejnë një zgjidhje politike. Dialogu është rruga që i hap Kosovës perspektivën evropiane…E qartë është që marrëveshja duhet të zgjidh çështjen e njohjes së Kosovës”, tha ai.
Kancelari gjerman tha më tej se është e paimagjinueshme që dy vende të bëhen anëtare të BE-së e nuk e njohin njëra tjetrën.
Ndryshe, kancelari ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për të cilën tha se duhet të shkojë përpara.
Ai tha se i vjen mirë që po viziton Kosovën si vend të parë në Ballkanin Perëndimor, raporton Telegrafi.
“Takimi i serishëm pas një muaji tregon sa të ngushta janë marrëdhëniet tona bilaterale… Çështja e liberalizimi i vizave duhet të shkojë përpara… Ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt pasi Kosova i ka plotësuar kriteret. Për këtë do të flasim me të gjithë partnerët në Evropë në mënyrë që të binden edhe ata”, tha ai. /Telegrafi/