Telegrafi

Scholz kërkoi tërheqjen ‘e plotë’ të trupave ruse nga Ukraina, gjatë një telefonate me Putinin

Kancelari gjerman Olaf Scholz të martën, më 13 shtator, i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të tërhiqte trupat e tij nga Ukraina, pasi një kundërsulm nga forcat e Kievit bëri përparim të shpejtë.

Siç raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, Scholz në një telefonatë 90-minutëshe “i bëri thirrje” Putinit që “të vijë në një zgjidhje diplomatike sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar në një armëpushim, një tërheqje të plotë të forcave ruse dhe respekt për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës“, sipas zëdhënësit të kancelarit Steffen Hebestreit.

Kancelari inkurajoi gjithashtu homologun e tij rus që t’i përmbahet një marrëveshjeje që lejon eksportet e grurit nga Ukraina, të cilën Rusia e ka kritikuar vazhdimisht.

Scholz i tha Putinit “të mos diskreditojë dhe të vazhdojë të zbatojë plotësisht” marrëveshjen e grurit në dritën e furnizimit të zgjatur global të ushqimit.

Gjatë telefonatës, kancelari gjerman ka ngritur çështjen e sigurisë në termocentralin bërthamor Zaporizhzhia, më i madhi në Evropë, i cili ka qenë një pikë qendrore e luftimeve javët e fundit.

Në këtë drejtim, udhëheqësi gjerman i kërkoi Putinit që “të shmangë çdo përshkallëzim dhe të zbatojë plotësisht masat e rekomanduara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike”.

IAEA ka kërkuar që të krijohet një zonë sigurie pas një misioni në central në fillim të këtij muaji. /Telegrafi/