Kancelari gjerman Olaf Scholz ka njoftuar se një projekt për furnizimin e mundshëm të Turqisë me aeroplanë Eurofighter po drejtohet nga Britania e Madhe dhe është në fazat e hershme.
“Është diçka që do të vazhdojë të zhvillohet, por tani po shtyhet përpara nga Britania”, tha Scholz kur u pyet për lëvizjen e mundshme mbi këtë çështje në një konferencë shtypi në Stamboll me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Bëhet e ditur se aeroplanët Eurofighter Typhoon janë ndërtuar nga një konsorcium i Gjermanisë, Britanisë, Italisë dhe Spanjës, të përfaqësuar nga kompanitë Airbus, BAE Systems dhe Leonardo, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
I pyetur për këtë temë, një zëdhënës i qeverisë britanike tha: “Ne vazhdojmë të bëjmë përparim në eksportin e mundshëm të Eurofighter Typhoon në Turqi, një aleat i rëndësishëm i NATO-s”.
“Kur shqyrtojmë çdo eksport të mundshëm të Eurofighter, ne punojmë ngushtë me qeveritë e Gjermanisë, Italisë dhe Spanjës, në përputhje me angazhimet që secili komb ka marrë për të mbështetur eksportet e të tjerëve”, shtoi zëdhënësi.
Ndryshe, Ankaraja tha vitin e kaluar se ishte në bisedime me Britaninë dhe Spanjën për të blerë Eurofighter Typhoons, megjithëse Gjermania e kundërshtoi këtë ide.
Që atëherë, ajo është ankuar për mungesë përparimi në këtë çështje dhe Erdogan aludoi për hezitimin e Berlinit deri më tani.
“Ne dëshirojmë të lëmë pas disa nga vështirësitë e përjetuara në të kaluarën në furnizimin e produkteve të industrisë së mbrojtjes dhe të zhvillojmë bashkëpunimin tonë”, tha Erdogan. /Telegrafi/