Telegrafi

Scholes e këshillon Luke Shaw që t’i bashkohet Tottenhamit

(Foto: Getty Images)

Paul Scholes beson se Luke Shaw duhet të largohet nga Manchester Unitedi gjatë verës dhe ta vazhdojë karrierën te Tottenham Hotspur.

Mbrojtësi anglez ka punuar me trajnerin aktual të Spursave, Mauricio Pochettino, gjatë kohës sa të dy ishin te Southamptoni.

Futbollisti 22-vjeçar më pas, në vitin 2014, u transferua në Old Trafford për 30 milionë funte (34 milionë euro).

(Foto: Getty Images)

Ai nuk është më në planet e Jose Mourinhos, pasi strategu portugez e preferon në formacionin startues 32-vjeçarin Ashley Young.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Luke Shaw

Madje trajneri i Djajve të Kuq e kishte kritikuar drejtpërdrejt lojtarin pas ndeshjes së Kupës FA kundër Brightonit.

Dhe derisa është duke u spekuluar se Shaw do të largohet nga klubi anglez, ish-futbollisti i Unitedit, Scholes, e ka këshilluar që të transferohet te Tottenhami, pasi i përshtatet stilit të tij të lojës.

(Foto: Getty Images)

“Akoma besoj se ai mund të bëhet më i miri në botë dhe gjatë verës duhet të shkojë te Tottenham ose diku tjetër dhe të përmirësohet”.

“Unë mund të vërej një dallim mes tij dhe Youngut. Por, mendoj se nganjëherë trajnerët e fusin në kokë idenë se ndonjë lojtar nuk bën për lojën e tyre”.

“Për mua, është i shkëlqyer, por trajneri i tij do të vazhdojë të gjejë diçka të gabuar tek ai”, ka deklaruar Scholes për BT Sport. /Telegrafi/