Telegrafi

Schalke edhe zyrtarisht shkëput kontratën me Gazprom pas luftës në Ukrainë

Ka marrë fund përfundimisht partneriteti mes klubit gjerman Schalke 04 dhe sponsorit të tyre Gazprom.

Ka qenë klubi gjerman Schalke 04 që ka konfirmuar se kanë anuluar kontratën me partneritetin e tyre Gazprom GAZP.Mm përpara fundit të saj.

E gjitha kjo vjen pas pushtimit që Rusia i ka bërë Ukrainës javën e kaluar dhe gjermanët janë kundër kësaj lufte të tmerrshme.

Ka qenë faqja zyrtare e Schalke 04 në rrjetet sociale që ka konfirmuar ndërprerjen e bashkëpunimit mes palëve.

“Bordi i drejtorëve të FC Schalke 04 ka vendosur të përfundojë para kohe partneritetin midis S04 dhe GAZPROM. Bordi drejtues dhe bordi mbikëqyrës janë në bisedime me përfaqësuesit e sponsorit kryesor aktual dhe informacione të mëtejshme do të bëhen të ditura në kohën e duhur”, thuhet në njoftimin për media.

Schalke kishte hequr emrin e Gazpromit  dhe xhiron e fundit ndaj Karsluher luajtën pa emrin e gjigantit rus në fanella.

Rusët kanë marrë sanksione nga e gjithë Evropa jo vetëm si shtet, por edhe në aspektin sportiv.

FIFA i ka ndaluar Kombëtares së Rusisë që të luaj me himn, flamur e simbole shtetërore si dhe ndeshjet do të duhet t’i zhvillojnë vetëm në terren neutral.

Ndërkohë UEFA pritet ta zyrtarizojë përjashtimin e Spartak Moskës nga garat e Ligës së Evropës. /Telegrafi/