Lulzim Mjeku
Një libër e bën të mirë jo tema që e trajton sa interpretimet e reja që sjell. Në këtë kuptim, libri “Scanderbeg” i autorit britanik Harry Hodgkinson (1913-1994) botuar në anglisht në Londër nga Qendra për Studime Shqiptare shquhet me vlerat e reja interpretuese mbi një subjekt shumë i shfrytëzuar nga historia dhe letërsia shqiptare dhe ajo evropiane, siç është Skënderbeu (1403-1468). Sidoqoftë, sipas editorëve, Bejtullah Destani dhe Westrow Cooper, kjo është biografia e parë e heroit kombëtar shqiptar e botuar në Angli, pas më shumë se katërqind vjet.
Autori, një gazetar, ish-oficer britanik dhe ekspert për Ballkanin e ka ndarë librin në katërmbëdhjetë kapituj. Libri nis të shpjegojë shoqërinë shqiptare si shoqërinë më të vjetër në Evropë, për të kaluar në lindjen e legjendës, atletit të Krishterimit, luanit të pamposhtur dhe të furishëm, Hamletit të bjeshkëve, siç e quan Hodgkinson heroin kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Hodgkinson spikat me fuqinë e interpretimit autorial të rrethanave të kohës. Kështu, për të, Skënderbeu nuk ka qenë një mbret në kuptimin klasik të fjalës. Ai më parë ka qenë I pari i të barabartëve i cili ka arritur të fitojë këtë pozitë me konsensusin e të gjithë luftëtarëve të tij, në mesin e tyre edhe princër, pra, Skenderbeu arriti të krijojë aleancën, lidhjen e princërve..
Spikatet një interpretim tjetër. Kur Skënderbeu e lë betejën e Nishit, më 3 nëntor 1443 për t’u nisur për në Krujë, ai mbërrin atje për të ngrehur flamurin e familjes së tij, më 28 nëntor 1443. Hodgkinson pyet: ndërmjet këtyre dy vendeve qëndrojnë vetëm disa qindra kilometra, ndërsa kronika thotë se ai marshoi shpejtë. Nga kjo del se Skënderbeu kaloi tetë milje në ditë. Ai do të ketë kaluar më shumë në këmbë. Autori jep shpjegimin e tij: Skënderbeu duhet të ketë pritur që forcat osmane të kenë qenë në tërheqje drejt kryeqytetit të tyre. Një tjetër, faktor të cilin autori e thekson është përkeqësimi i motit. Skënderbeu mund të ketë pritur javën e fundit të nëntorit, për të rënë borë, në mënyrë që të hynte në Krujë një natë para shpalljes së pavarësisë së tij nga osmanët.
Libri është i pasur me detaje të këtilla, pyetje dhe përgjigje për çështje konkrete, dhe kjo qasje e një perëndimori rezulton në informacione të reja, gjë që e bën lëndën shumë të shfrytëzuar për jetën e Skënderbeut, të freskët dhe të këndshme për ta lexuar me një frymë.
Një interpretim tjetër të fuqishëm autori na e jep te akti i ballafaqimit të Skënderbeut me Ballaban Pashën. Sipas autorit, monotonia e shkaktimit të disfatave armatave turke, të cilat nuk i kuptonin metodat luftarake shqiptare, i dhanë një leksion Sulltan Mehmetit. Ai vendosi që Skënderbeut t’ia vendoste përballë një shqiptar tjetër. Ballabanin! Sipas autorit, ky ishte një caktim simbolik dhe profetik. Kjo tregonte se Sulltani ishte i tëri pa paragjykime ndaj një bashkatdhetari të Skënderbeut, i cili si pjesëtar ambicioz i një kombi të mundur synonte më shumë një të ardhme në perandorinë e madhe se sa lirinë në shtëpi. Për më shumë, autori e quan këtë një akt të revolucionit social, meqe Ballabani ishte bir i një bariu nga pronat e Kastriotëve.
Me këtë libër, Qendra për Studime Shqiptare me seli në Londër, pasuroi historiografinë botërore me vepra të botuara në anglisht. Ajo viteve të fundit ka botuar edhe vepra të tjera në gjuhën angleze, që ndihmojnë shumë në kapërcimin e një pragu kritik të mungesës së literaturës për shqiptarët dhe Shqipërinë në gjuhën angleze.