Telegrafi

SBASHK-u: Shpresojmë që të përmbushen rekomandimet e IKSHPK-së, në të kundërtën do të kërkojmë ndërprerje të mësimit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në koordinim me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë ditë më parë mori vendim që të shtyhet hapja e shkollave deri më 14 shtator, në mënyrë që shkollat të përgatiten sipas rekomandimeve nga IKSHPK-ja.

Por as kjo datë nuk është definitive, megjithëse SBASHK-u shpreson që nuk do të ketë nevojë për shtyrje të sërishme të fillimit të procesit mësimorë.

Kështu ka deklaruar për Telegrafin, sekretari i SBASHK-ut, Ymer Ymeri.

“Ne shpresojmë shumë që gjatë këtyre dy jave do të punohet maksimalisht që të përmbushen kushtet e rekomanduara nga IKSHPK, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dhe nuk besojmë që do të ketë nevojë për shtyrje të sërishme sepse ditën kur kemi vendosur të gjithë bashkërisht që të shtyhet fillimi i vitit të ri shkollor, kemi potencuar që të gjithë akterët të punojnë maksimalisht që sa më shpejtë që është e mundur të plotësohen kushtet për fillim sa më të sigurt të fillimit të vitit shkollor gjithmonë duke pasur prioritet kryesor ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor”, ka thënë sekretari i SBASHK-ut.

Megjithatë, Ymeri ka thënë se në rast se data 14 do t’i gjejë në të njëjtën situatë siç janë sot sa i përket pandemisë dhe nëse shohin se po rrezikohet shëndeti i anëtarësisë do të kërkojnë ndërprerje të mësimit.

“Nëse data 14 na gjen në të njëjtën situatë siç jemi sot normalisht që ne kemi me mbikëqyrë në mënyrë rigoroze zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 të dhëna nga IKSHPK-ja dhe të miratuara nga MASH dhe nëse rrezikohet shëndeti i anëtarësisë sonë do të kërkojmë ndërprerjen e mësimit”, u shpreh Ymeri.

Lexo po ashtu Fillimi i vitit të ri shkollor - MASH i reagon SBASHK-ut pas paralajmërimeve se mësimi mund të shtyhet prapë

SBASHK-u po kërkon që të ketë edhe një regjistër të mësimdhënësve rezervë të cilët do t’i zëvendësojnë ata mësimdhënës të cilët janë prekur ose eventualisht preken nga COVID-19.

“Ne shpresojmë shumë që gjatë këtyre dy jave do të punohet maksimalisht qe të përmbushen kushtet e rekomanduara, si dhe do të krijohen regjistra të mësimdhënësve rezervë për t’i zëvendësuar mësimdhënësit që eventualisht preken ose janë të prekur nga COVID-19”, ka thënë Ymeri.

Sekretari i SBASHK-ut, më tej ka theksuar se në bazë të këtij regjistri do të dihet saktësisht se cilët mësimdhënës të sëmurë dhe të cilës moshë do të lirohen nga puna.

“Do të caktohen si dhe do të specifikohet saktë cilët mësimdhënës të sëmurë dhe të çfarë moshe do të lirohen nga procesi mësimor për shkak të rrezikshmërisë shëndetësore nëse preken nga COVID-19”, u shpreh Ymeri.

Sipas, MASh-it, shtyrja e fillimit të vitit shkollor është bërë me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit. Po ashtu, kjo do të sigurojë një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë. /Telegrafi/