Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka reaguar ndaj vendimit të Ministrit Shyqiri Bytyqi lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, duke e quajtur vendi të njëanshëm dhe në kundërshtim me Ligjin për grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë.
SBASHK-u nuk e njeh si të ligjshëm Vendimin e Ministrit Shyqiri Bytyqi, lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së punëtorëve arsimor.
“SBASHK-u nuk e njeh si të ligjshëm Vendimin e Ministrit Shyqiri Bytyqi, lidhur me zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës së punëtorëve arsimor nga fakti se ky vendim është i njëanshëm e pa as edhe një konsultë paraprake me SBASHK-un, e aq më tepër kur dje kishim takim me Ministrin Bytyqi, në prani të Drejtores së përgjithshme të Internacionales Botërore të Arsimit për regjionin e Evropën dhe nuk është thënë asgjë lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim.
SBASHK thotë se me t’u publikuar ky vendim në faqen zyrtare të MASHT-it, do të ngris padi në gjykatë ndaj këtij vendimi, i cili bie ndesh me Ligjin mbi grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë, duke kërkuar nga gjykata masën e përkohshme për suspendimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në shqyrtimin përfundimtar dhe vendimin meritor të gjykatës.
“Deri atëherë u bëjmë apel Drejtorive Arsimore në komunat e Kosovës që të mos caktojnë orare për zëvendësimin e orëve të humbura në grevë sepse vendimi i Ministrit të MASHT-it është i kontestueshëm. SBASHK po ashtu u drejtohet punëtorëve në tërë Arsimin e Kosovës të mos zbatojnë vendimin për zëvendësimin e orëve deri në vendimin përfundimtar e meritor të gjykatës gjegjëse lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/