Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, njoftoi të enjten se ka dorëzuar kallëzim penal kundër Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, pasi ky i fundit mori vendim që t’ua ndalë pagat të gjithë punonjësve që po mbajnë grevë.
Në një konferencë për media, Jasharaj bëri të ditur se kallëzimin penal e ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, pasi siç tha Murati po bën “goditje të ulëta” dhe po tenton t’i frikësojë.
“SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar kallëzimin penal ndaj ministrit Murati. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, u shpreh ai para mediave.
Tutje, Jasharaj u bëri thirrje mësimdhënësve të mos dorëzohen përball siç tha shantazheve nga Qeveria.
“I kemi harxhuar të gjitha mundësitë për të dialoguar me Qeverinë. Kemi dërguar edhe një ndërmjetësues. Nuk e kemi mendjen me tradhtu zërin tuaj sepse po punojmë sipas zërit tuaj. Të urojmë dhe t’i lutemi Zotit bashkë që Qeveria Kurti të dialogojë. Pa të ofruar asnjë zgjidhje dhe vetëm kërcënime, e kanë të kot sepse ne jemi në rrugën e Zotit”.
“Ne nuk do të lëvizim asnjë milimetër. Greva do të përfundojë kur të thoni ju, kur Qeveria t’i zgjidh kërkesat tona. Greva do të përfundojë ashtu siç është shpallur, përmes mediave. Greva ka me përfundu, por dikush në fund ka me u turpëru. E ai që do të turpërohet është Hekuran Murati, i cili po përdor kërcënime të ulëta. Nëse dorëzohemi, këta nuk kanë me dit me u ndal me veprime të tjera”, shtoi ai.
Ndryshe, viti i ri shkollor 2022/2023 nuk ka filluar në pothuajse asnjë shkollë në Kosovë pasi mësimdhënësit janë në grevë.
Greva ka ardhur si pasojë e mos realizimit të kërkesave të SBASHK-ut nga Qeveria e Kosovës, në mesin e të cilave është edhe kërkesa për shtesën prej 100 euro deri në Ligjin për Paga.
Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci të mërkurën u ka kërkuar mësimdhënësve që të ndërprejnë grevën. /Telegrafi/