Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i shoqëruar nga nënkryetarja Vjollca Shala, Bardh Bardhi, kryetar i sindikatave të Universiteteve, Rexhep Sadiku, kryetar i Kuvendit të Arsimit të Mesëm të Lartë të Kosovës dhe Blerim Mehmeti, kryetar i Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët të Kosovës, me iniciativën e zëvendësministrit Arbër Geci është takuar me Ministrin Bytyqi dhe zëvendësministrin Geci.
Sipas një njoftimi, përcjell Telegrafi, në këtë takim u diskutua rreth situatës aktuale të krijuar në arsimin parauniversitar të Kosovës.
Në këtë drejtim, shtohet në njoftim, kryetari i SBASHK-ut paraqiti qëndrimin e Këshillit Drejtues të SBAShK-ut, të cilët janë të vendosur ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës pasi janë të mendimit që verdikti përfundimtar do të jetë në favor të tyre.
“Kryetari i SBAShK-ut në këtë takim paraqiti edhe një mundësi para ministrit Bytyqi që kjo gjendje të zhbllokohet nëse ministri bashkë me deputetët e partisë Nisma Socialdemokrate dhe deputetët e partive tjera të ftojnë një seancë të jashtëzakonshme me qëllim të përmirësimit të koeficientit për mësimdhënësit e ciklit fillor 1 deri 5 në Ligjin e pagave dhe të barazohet me koeficientin e mësimdhënësve të ciklit të mesëm të ulët 6 deri 9, pasi Ligji i pagave është në fuqi dhe ka dalë në Gazetën zyrtare, ndërsa zbatimi i tij fillon në fund vitit dhe në këtë rast SBAShK do të merr për obligim të bisedoj me mësimdhënësit që në fund vitin shkollor 2018/2019 të zëvendësojnë një javë në shenjë të vullnetit të mirë për mësimdhënësit e ciklit fillor 1-5”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu pas këtij takimi, thuhet tutje, Kryesia e SBAShK-ut në një takim të jashtëzakonshëm shqyrtoi ftesën e bërë nga Komisioni Parlamentar për Arsim.
“Është vendosur që në emër të SBAShK-ut të merr pjesë nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala, si dhe kryetari i Arsimit Fillor, Blerim Mehmeti, të cilët do të paraqesin qëndrimin e anëtarësisë së SBAShK-ut ashtu siç e paraqitën edhe para ministrit Bytyqi”, përfundohet në njoftimin e SBAShK-ut. /Telegrafi/