Telegrafi

SBASHK merr mbështetjen e Komitetit të Sindikatave të Arsimit të Evropës lidhur me Ligjin e Pagave

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) njofton se ka marr mbështetje nga Komiteti i Sindikatave të Arsimit të Evropës lidhur me Ligjin e Pagave.

SBASHK njofton se ky komitet i ka dërguar letër Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës si dhe Avokatit të Popullit, duke kërkuar që të merren parasysh kërkesat e punëtorëve të arsimit.

“Komiteti i Sindikatës Evropiane të Arsimit përmes drejtoreshës së përgjithshme Suzan Flocken, i është drejtuar me një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari dhe Qeverisë së Kosovës duke kërkuar që ata ta kenë parasysh këtë kërkesë legjitime të punëtorëve të arsimit dhe duke kujtuar edhe një herë se Komiteti i Sindikatës Evropiane për Arsim (ETUCE), që përfaqëson 132 sindikata arsimore, gjegjësisht 11 milionë mësues në Evropë, është në mbështetje të SBASHK-ut”, thuhet në njoftimin e sindikatës, përcjell Telegrafi.

“Organizata jonë anëtare SBASHK ka përcjellë shqetësimin e saj të thellë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të 12 dhjetorit 2019 që është dhënë në bazë të kërkesës së Avokatit të Popullit dhe që pezullon përkohësisht Ligjin e Pagave të Sektorit Publik deri më 30 Mars 2020. Pas kësaj, ETUCE i shpreh mbështetje SBASHK-ut dhe ju kërkon të filloni bisedime që përfshijnë kryeministrin në detyrë dhe të gjithë drejtuesit e partive politike për të diskutuar alternativat e mundshme për alokimin e 25 për qind të rritjes së pagave, siç u përcaktua fillimisht nga Ligji i Pagave të sektorit publik. Ju sigurojmë se do të vazhdojmë të vëzhgojmë nga afër zhvillimet”, thuhet veç tjerash në letrën e ETUCE drejtuar Presidentit të Kosovës, Avokatit të Popullit dhe Qeverisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Gjykata Kushtetuese ka pezulluar Ligjin për Paga deri më 30 mars

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar deri më 30 mars zbatimin e Ligjit për Paga. Pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, institucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar atë në Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së Ligjit. /Telegrafi/