Site icon Telegrafi

Sauditët ndëshkuan në mënyrë drakonike futbollistët për rebelimin ndaj Mancinit, më së keqi e pësoi bashkëlojtari i Ronaldos

Një skandal i madh tronditi futbollin në Arabinë Saudite pasi u konstatua se pesë futbollistë u rebeluan kundër trajnerit të kombëtares, Roberto Mancini, dhe vendosën të refuzojnë grumbullimin.

Federata e Futbollit e Arabisë Saudite zbuloi se Nawaf Al-Aqidi, Salman Al-Faraj, Mohamed Maran, Khaled Al-Ghannam dhe Ali Hazazi kishin shkelur rëndë rregullat.

Megjithatë, bashkëlojtari i Cristiano Ronaldos, portieri i Al-Nassr, Al-Aqidi ishte më i ‘keqi’ dhe mori dënimin më të madh.

Al-Aqidi u dënua me pesë muaj pezullim dhe 75 mijë euro gjobë pasi u konstatua se i kishte dërguar mesazhe fyese trajnerit Mancini, duke kërkuar shtyrjen e grumbullimit të ekipit kombëtar.

 

Ai është ankuar edhe për faktin se është portieri i tretë dhe nuk ka ardhur në takimin e Kombëtares së Arabisë Saudite, ashtu si lojtarët e tjerë të ndëshkuar.

Lojtari i Al-Hilal, Salman Al-Faraj u gjobit me 25,000 euro për refuzimin për të ardhur në kamp, ​​dhe tre lojtarë tjerë të mbetur u pezulluan me nga një muaj dhe u gjobitën me 50,000 euro secili për mungesën pa leje.

Kujtojmë se Arabia Saudite pësoi një dështim në Kupën e Azisë të përfunduar së fundmi, ku u eliminua nga Koreja e Jugut tashmë në fazën e 1/8-tës. /Telegrafi/

Exit mobile version