Dhjetë ditët e para të muajit dhjetor kanë rezultuar fatale për Napolin, që humbi kreun e renditjes, u eliminua nga Liga e Kampionëve dhe për të dytin takim radhazi në Serine A dhe për më tepër në San Paolo, nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë.
Pas humbjes 0-1 ndaj Juventusit, vjen menjëherë barazimi 0-0 me Fiorentinën, por ndryshe nga takimet e tjera, këtë herë trajnerit Maurizio Sarri ka një këndvështrim shumë pozitiv.
“Luajtëm shumë mirë dhe qarkulluam topin shpejt. Dihet që Fiorentina është një kundërshtar i vështirë për këdo, pro ne ia dolëm ta dominojmë ndeshjen dhe të veprojmë si duhet edhe në repartin e mbrojtjes”.
“E vetmja gjë që na mungoi në takimin e djeshëm, ishte goli që do të na jepte fitoren. Gjithsesi, jam i bindur që golat do të vijnë dhe bashkë me ta, edhe fitoret”, tha Sarri.
Trajneri napolitan u shpreh se ende nuk dihet nëse do ta ketë në dispozicion Lorenzo Insignen për javën e ardhshme, ndërsa iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve se pse Adam Ounas nuk luan titullar.
“Nuk e di a do jetë Lorenzo për takimin e ardhshëm, sepse nuk duam të rrezikojmë për asnjë moment. Do të zbresë në fushë vetëm kur të jetë 100 per qind i rikuperuar, sepse nuk duam që të rrezikojë ndonjë dëmtim të gjatë. Ounas është një djalosh i ri, që po punon mirë. Për ta parë titullar duhet të keni pak durim. Douglas Costa erdhi nga Bayern Mynihu dhe Max Allegri filloi ta aktivizonte vetëm në muajin nëntor”, u shpreh Sarri. /SS/