Maurizio Sarri ka refuzuar të ndërpresë kontratën e tij me pëlqim të ndërsjellë, kështu që Juventusi do të duhet të paguajë deri në 8.5 milionë euro.
Trajneri u pushua nga puna pavarësisht se fitoi titullin në Serie A dhe arriti në finalen e Kupës së Italisë, por eliminimi i hershëm nga Liga e Kampionëve me Lyonin u konsiderua e pafalshme nga drejtuesit.
Mbi të gjitha, marrëdhënia e tij me ekipin kurrë nuk ishte prej më të mirave dhe këtë e shkruan edhe gazeta Corriere della Sera.
Në të njëjtin shkrim thuhet gjithashtu se Sarri nuk e ka ndërmend të zgjidhë kontratën e tij me pëlqim të ndërsjellë.
Një muaj ka kaluar që kur ai u shkarkua për t’i lënë vend Andrea Pirlo, ndërsa paga e tij ishte 6 milionë euro në sezon.
Po ashtu ekziston një klauzolë që lejon Juventusin të ndërpresë kontratën një vit më herët për 2.5 milionë euro, por kjo ishte e vlefshme vetëm nga qershori 2021.
Nëse Sarri merr pushim një vit, ai mund të vazhdojë të marr pagë prej 6 milionë euro dhe më pas ta detyrojë klubin të paguajë edhe klauzolën prej 2.5 milionë euro. /Telegrafi/