Telegrafi

Sarri: Do të flasë me drejtuesit e Chelseat për të ardhmen

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime në ditët e ardhshme për të ardhmen e tij me klubin londinez.  

Sarri fitoi trofeun e parë të madh në karrierën e tij si menaxher të mërkurën pasi Chelsea mposhti Arsenalin 4-1 në finalen e Ligës se Evropës.

Megjithatë, e ardhmja e tij vazhdon të spekulohet, me Juventusin si stacion i ardhshëm në karrierë, ndërsa italiani tregoi se gjatë ditëve të ardhshme do të flasë me drejtuesit.

“Unë flas me pronarin dhe drejtorin pas çdo sezoni me çdo klub. Është normale”, ka thënë fillimisht Sarri pas finales.

Sarri duke ngritur lartë trofeun e Ligës së Evropës (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

“Ju e dini shumë mirë se unë e dua Ligën Premier, jam me fat që jam në Chelsea. Një nga skuadrat më të mira, në një nga kampionatet më të mira në botë”.

“Tani duhet të flas me klubin tim. Sezoni përfundoi. Nesër (sot) do të flas me pronarin, drejtorin, nuk e di të ardhmen”.

“Ne duhet të dimë se çfarë mund të bëjë klubi për mua, çfarë mund të bëj më mirë për klubin. Klubi duhet të flasë me mua gjithashtu”.

“Kam një kontratë, kështu që për momentin nuk po flasim për asgjë”, përfundoi trajneri italian. /Telegrafi/