Telegrafi

Sarri mohon kalimin te Roma: Do të qëndroj te Chelsea

Maurizio Sarri (Foto: Laurence Griffiths/Getty Images/Guliver)

Maurizio Sarri nuk e ka ndërmend të largohet nga Chelsea. Trajneri italian kishte nënshkruar me Blutë gjatë verës së shkuar duke e zëvendësuar Antonio Conten që u shkarkua nga Roman Abramovich.

Gjatë këtij sezoni, ai është kritikuar jo rrallë për mënyrën e lojës sidomos nga tifozët, megjithatë deri më tani ka arritur të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër, si dhe është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, ku do të përballet me Eintracht Frankfurtin.

Pikërisht para ndeshjes ndaj ekipit gjerman, Sarri konfirmoi që nuk do të largohet nga Chelsea, ndonëse për të ka shprehur interesim Roma.

“Unë te Roma? Siç ua kam bërë të qartë edhe më parë dua të qëndroj këtu. Më pëlqen futbolli anglez dhe atmosfera që krijohet këtu”, është shprehur ai, citon KP.

“Dua të vazhdoj të jem pjesë e futbollit anglez dhe nëse nuk do jem te Chelsea pse jo të mos jem pjesë e një tjetër skuadre të Ligës Premier”, ka shtuar trajneri.