Telegrafi

Sarri: Futbollistët ende nuk po e kuptojnë filozofinë e lojës sime

Maurizio Sarrit këmbëngul se nuk do të ndryshojë sistemin e lojës pas humbjes ndaj Bournemouthit.

Trajneri italian ka folur pas pësimit me rezultat të thellë prej 4-0, ku ka pohuar se lojtarët e Chelseat ende nuk e kanë kuptuar stilin e lojës së tij.

“Ne jemi duke luftuar, mbi të gjitha mentalisht. Ne kishim supozuar se kemi mësuar një stil të caktuar të futbollit, por e vërteta është se ne kurrë nuk e kemi mësuar atë dhe po i paguajmë pasojat”, tha Sarri për Sky Sport Italia.

“Pjesa e parë ishte e mirë, por pranuam gol rifillimit të 45 minutshit të dytë. Kemi ndalur të sulmojmë ose të mbrojmë si ekip, kemi bërë gjithçka individualisht”.

“Nuk e kuptoj pse ndodhi kjo, sepse kishim 45 minuta të mirë, por që më vonë nuk patëm vazhdimësi. Unë nuk mund ta deshifroj dhe kjo po krijon pasiguri dhe ndoshta disa nga hapat ishin të pashmangshme, por ne duhet të kuptojmë pse kemi këto probleme mendore”, tha italiani.

“Ne ende nuk kemi mësuar lëvizjet më themelore, por duhet të punojmë në baza, themelet kryesore të futbollit tim dhe vetëm atëherë do të përpiqemi të ndryshojmë disa gjëra”, shtoi ai.

Chelsea aktualisht zë pozitën e pestë të renditjes tabelore me 47 pikë, po aq sa ka edhe Arsenali i pozitës së katërt. /Telegrafi/