Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri ka folur për një qëndrim të mundshëm të Gonzalo Higuain në klubin londinez.
Sulmuesi argjentinas ka shënuar në fitoren e Chelseat ndaj Watfordit 3-0, ndërsa ende nuk është vendosur për të ardhmen e tij.
Higuain është i huazuar tek klubi londinez nga Juventus, derisa Chelsea ka edhe mundësinë e blerjes.
Trajneri italian Maurizio Sarri ka thënë se nëse qëndron Higuain, atëherë Chelsea do të bëjë paraqitje edhe më të mira në edicionin e ardhshëm.
“Nëse Higuain qëndron atëherë ne mund të bëjmë paraqitje shumë të mira në sezonin e ardhshëm”, u shpreh Sarri.
“Ai ka pasur vështirësi të përshtatet në kampionatin anglez, por jam i bindur se do të jetë i suksesshëm nëse Chelsea vendos të nënshkruajë kontratë të përhershme”.
31-vjeçari ndaj Watfordit ka shënuar golin e tij të pestë në 13 ndeshje në Ligën Premier.
Chelsea ka opsionin që ta blejë Higuainin për 36 milion euro, ose ta zgjas marrëveshjen e tij të huazimit deri në qershor të vitit 2020 për 18 milion euro.
Veterani ka shënuar 242 gola në 430 paraqitjet e kampionateve gjatë karrierës së tij deri më tani duke luajtur në River Plate, Real Madrid, Juventus, Napoli dhe Milan. /Telegrafi/