Sarah Michelle Gellar e ka publikuar një mesazh inkurajimi për shoqen e saj, Shannen Doherty, të cilës i është kthyer kanceri dhe ndodhet në stadin e katërt.
Aktorja e serialit “Beverly Hills 90210” konfirmoi ditë më parë se i është kthyer sëmundja e rëndë dhe se ndodhet në një fazë shumë të avancuar.
Ndërkohë, ajo ka marrë mbështetje të shumta, teksa një prej tyre i ka ardhur nga kolegia dhe mikja e ngushtë, aktorja e “Buffy The Vampire Slayer”, e cila e ka postuar një mesazh inkurajimi për të.
Gellar e ka publikuar një fotografi të tyre të përbashkët në Instagram, me përshkrimin: “Jeta është e vështirë, por ti je më e fortë”.
Ylli i njohur për rolin e Brendas ishte diagnostikuar me kancer të gjirit për herë të parë në vitin 2015, ndërsa pas terapisë intensive (mastektomi, kimioterapi dhe radioterapi), në vitin 2017, mjekët konstatuan se qelizat kanceroze ishin eliminuar.
Mirëpo, në fillim të vitit të kaluar, mjekët sërish e kishin njoftuar 48-vjeçaren se sëmundja i është kthyer, ndërsa ajo e ka mbajtur të fshehur deri më tani. /Telegrafi/