Basketbollisti Jameel McKay, i cili deri më 2 mars ka qenë pjesë e Golden Eagle Ylli, është izoluar në Singapor, me frikën se mund të jetë infektuar me koronavirus.
McKay më 2 mars kishte ndarë rrugët me skuadrën nga Suhareka, për të vazhduar karrierën në Singapor, te skuadra Singapore Sligers.
Faqja zyrtare e Ligës Aziatike të Basketbollit, ka bërë të ditur se basketbollisti është izolur, shkaku i frikës së mund të jetë infektuar me koronavirus.
“McKay është në karantinë pasi ishte përfshirë në ‘listën e kontaktit’ për një rast të koronavirusit në Singapor. Një 42-vjeçar nga Franca është testuar pozitivisht për koronavirus, ndërsa ai ishte në të njëjtin fluturim me McKayn nga Stambolli për në Singapor”, ka njoftuar faqja zyrtare e Ligës së Azisë.
Përhapja e koronavirusit ka bërë që shumë aktivitete sportive në gjithë botën të anulohen, e një pjesë e tyre të luhen pa tifozë.
McKay të martën mbrëma ka shkruar për këtë rast.
“Zyrtarisht nuk jam diagnostifikuar me ndonjë gjë. Shpresoj që nuk do të diagnostifikohem”, ka shkruar McKay. /Telegrafi/