Site icon Telegrafi

Sanksionet ndaj Rusisë: A mund t’ia dalë bota pa naftën dhe gazin rus?

Punonjësit kalojnë pranë stacionit matës të gazit, pjesë e lidhjes së gazsjellësit mes Bullgarisë dhe Greqisë, pranë fshatit Malko Kadievo (foto: Getty Images, 18 mars 2022)

Nga: Jake Horton, Daniele Palumbo dhe Tim Bowler / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Bashkimi Evropian është pajtuar t’i ndalojë të gjitha importet e naftës ruse që vjen nga deti.

Thuhet se sanksionet e reja kundër “makinerisë së luftës” të Presidentit Putin, mund ta ulin për 90 për qind sasinë e naftës që blihet nga Rusia.

ShBA-ja dhe Britania e Madhe gjithashtu kanë njoftuar për ndalesat për lëndët djegëse fosile ruse.

Sa të rënda janë sanksionet e BE-së?

Rusia ka siguruar rreth një të katërtën e naftës së importuar nga vendet e BE-së. Fjala është rreth 2.2 milionë fuçi në ditë naftë bruto dhe 1.2 milionë fuçi produkte nafte.

Sipas think-tankut amerikan, institutit Carnegie Endowment, kjo ia ka dhënë Rusisë më shumë se një miliard dollarë (800 milion funte) në ditë.

BE-ja planifikon që deri në fund të këtij viti t’i ndalojë importet ruse për naftën që vjen prej detit. Kjo do t’i shkurtonte me dy të tretat importet e naftës nga Rusia, nga vendet e BE-së.

Linjat kryesore të naftës që nga Rusia shkon në Evropë

Si “masë e përkohshme”, BE-ja do të vazhdojë t’i lejojë 800 mijë fuçi në ditë të importeve të naftës që vjen prej tubacionit.

Kjo sepse vendet si Hungaria dhe Sllovakia varen prej saj.

Megjithatë, Gjermania dhe Polonia – të cilat gjithashtu importojnë naftë ruse përmes tubacionit – thonë se deri në fund të këtij viti do të ndalojnë së bëri këtë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, thotë se pas kësaj Rusia do të eksportojë vetëm “10 ose 11 për qind” të naftës që kishte shitur më parë në shtetet e BE-së.

Përveç masave të BE-së, ShBA-ja ka shpallur ndalimin e plotë të importeve ruse të naftës, të gazit dhe të qymyrit. Mbretëria e Bashkuar do të heqë gradualisht, deri në fund të vitit, importin e naftës ruse.

Çfarë ndikimi mund të kenë sanksionet e naftës në Rusi?

BE-ja i ka quajtur sanksionet e saj si “vendim historik për ta gjymtuar makinën luftarake të Putinit”.

E ndihmuar nga rritja e çmimeve të energjisë, Rusia – nga eksportet e naftës dhe gazit në Evropë – gjatë vitit të kaluar ka marrë 400 miliardë euro (430 miliardë dollarë, 341 miliardë funte).

BE-ja shpreson se ajo do t’i humbasë një pjesë të madhe të këtyre të ardhurave.

Megjithatë, duhen disa muaj për të hyrë në fuqi të plotë këto sanksione, dhe madje edhe atëherë Rusia do të jetë në gjendje ta shesë naftën e saj diku tjetër nëpër botë.

“Vendet në Azi mund të blejnë deri në një miliard fuçi në ditë të naftës brutos nga Rusia, më shumë sesa po marrin tani”, thotë David Fyfe, kryeekonomist me firmën e të dhënave të energjisë, “Argus Media”.

“Si rezultat i të gjitha sanksioneve të shpallura deri më tani, Rusia mund të humbasë një të tretën e gjysmë prej të ardhurave të saj totale nga nafta, por jo të gjithat”.

A do të mungojë nafta në Evropë?

Shumë vende evropiane, furnizimet e tyre të naftës mund t’i kenë të kufizuara nga ndalimi i importeve ruse.

Lituania dhe Finlanda, në nëntor të vitit të kaluar kanë marrë rreth 80 për qind të naftës së tyre nga Rusia.

Përqindja e importeve të naftës ruse, nga shtetet evropiane

Megjithatë, vendet e BE-së mund të blejnë gjithmonë naftë prej prodhuesve tjerë.

Përveç kësaj, më shumë naftë po hidhet në tregjet botërore.

IEA –  klub i vendeve importuese të naftës – ka lëshuar 120 milionë fuçi naftë bruto nga rezervat e veta. Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, urdhëroi hapjen e madhe të naftës nga rezervat amerikane.

“Kombet si Arabia Saudite mund të fillojnë të hedhin më shumë naftë në tregun botëror, më vonë gjatë këtij viti, dhe mund të ketë më shumë furnizime nga ShBA-ja”, thotë Kate Dourian, bashkëpunëtore në Institutin e Shteteve Arabe të Gjirit, në Uashington.

Sa varet Evropa në gazin rus?

Rusia furnizon BE-në me 40 për qind të gazit natyror që importon.

Qeveria e saj ka përfituar nga varësia e kombeve evropiane që i furnizon.

Presidenti Putin kërkoi që kombet “jomiqësore” në Evropë, për gazin të paguajnë në rubla – për ta ndihmuar atë të mbështesë vlerën e valutës ruse.

Polonia, Bullgaria dhe Finlanda refuzuan ta bëjnë këtë gjë dhe Rusia i ndërpreu furnizimet për ta. BE-ja ka thënë se e konsideron veprimin e Rusisë si formë shantazhi.

Eksportet ruse të gazit (miliardë kubikët e importuar nga Rusia, nga shtetet evropiane)

A do ta sanksionojë BE-ja gazin rus?

Në mars, BE u zotua t’i reduktojë importet e gazit nga Rusia, me dy të tretat brenda një viti.

Megjithatë, ka qenë e vështirë arritja e marrëveshjes për ndonjë masë të mëtejshme, siç është ndalimi i plotë i importit.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, mbështetet tek Rusia për pothuajse gjysmën e furnizimit të saj me gaz.

Tubacionet kryesore të gazit në Evropë

Ka dyshime nëse vendet e BE-së do të jenë në gjendje të gjejnë furnizime tjera me gaz, përveç Rusisë.

“Do të duhej t’ju drejtoheshin prodhuesve të tillë, si ShBA-së dhe Katari, të cilat nëpër cisterna do ta transportonin gazin e lëngshëm natyror (LNG)”, thotë Kate Dourian.

“Por, nuk ka mjaft terminale të LNG-së në Evropë. Ky do të jetë problem veçanërisht për Gjermaninë. Ajo thjesht nuk ka pajisje për ta shkarkuar atë”.

Çfarë do të ndodhë me faturat e mia për ngrohje dhe karburant?

Konsumatorët përballen me rritje të faturave të energjisë dhe të karburanteve, teksa fillojnë goditjet e sanksioneve ndaj energjisë ruse.

Çmimet e ngrohjes – tashmë të larta – ka të ngjarë të rriten edhe më shumë nëse kufizohen eksportet e gazit rus në Evropë.

Në Mbretërinë e Bashkuar, faturat e energjisë shtëpiake janë mbajtur nën kontroll nga përcaktimi nga shteti i çmimit të energjisë.

Por, faturat u rritën nga 700 funte në rreth 2 000 funte në prill, kur çmimi i ri u përcaktua. Ata pritet të arrijnë rreth 3 000 funte kur çmimi do të rritet sërish këtë vjeshtë.

Çmimet e benzinës dhe naftës në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur gjithashtu dhe qeveria ka njoftuar për ulje të tarifës së karburantit pasi shoferët po luftojnë me çmime rekorde. /Telegrafi/

Exit mobile version