Alexis Sanchez ka pranuar se ai dëshironte të largohej nga Manchester Unitedi dhe të kthehej në Arsenal pas seancës së tij të parë stërvitore me Djajtë e Kuq.
Ish-sulmuesi i Barcelonës u largua nga Emirates për Old Trafford në janar të 2018, por u përpoq të bënte përshtypje gjatë dy sezoneve para se të dërgohej te Interi si huazim vitin e kaluar.
Në Serie A përgjatë sezonit 2019-20, Sanchez tregoi formë të mirë dhe ringjallje të tij dhe siguroi një lëvizje të përhershme në Milano në gusht.
Duke reflektuar për kohën e tij te Unitedi përmes një video të postuar në Instagram, 31-vjeçari pretendon se ai e dinte shumë shpejt se nuk do të shijonte kohën e tij me klubin dhe goditi mungesën e unitetit të skuadrës gjatë kohës së tij.
“Pas seancës së parë stërvitore kuptova shumë gjëra, erdha në shtëpi dhe pyeta familjen time dhe menaxherin tim nëse mund ta prishja kontratën dhe të kthehesha në Arsenal, diçka nuk më shkonte për shtat, por unë tashmë kisha nënshkruar”, ka thënë fillimisht Sanchez.
“Kaluan muaj dhe unë ndjeva të njëjtën gjë. Ne nuk ishim të bashkuar si ekip në atë kohë”.
“Gazetarët gjithashtu folën pa e ditur dhe kjo dhembi. Ish-lojtarët gjithashtu folën dhe nuk kishin ide se çfarë po ndodhte brenda klubit. Dhe ata më lënduan”.
“Një lojtar gjithashtu varet nga mjedisi i brendshëm, që ne duhet të jemi një familje. Ne nuk ishim të tillë dhe kjo u pasqyrua në fushë. Nëse dikush duhej të fajësohej, ata më fajësonin mua”.
“Unë bëj vetëkritikë dhe duhet të kisha luajtur më mirë. Por, gjithnjë më fajësuan, edhe nëse luaja për disa minuta”, përfundoi ylli kilian.
Sanchez në fund të fundit bëri 45 paraqitje për Djajtë e Kuq, duke shënuar vetëm pesë herë dhe duke kontribuar me nëntë asistime – statistika që janë të zbehta në krahasim me 80 gola që ai shënoi në 166 ndeshje me Topçinjtë. /Telegrafi/