Site icon Telegrafi

San Antonio me tjetër rekord, Golden State mund Dallasin (Video)

San Antonio Spurs ka barazuar rekordin e Chicagos për startin më të mirë të një sezoni në shtëpi, pasi ka shënuar edhe fitoren e 37-të radhazi që nga starti i sezonit në shtëpi, duke mposhtur Memphis Grizzlies me rezultat 110-104. Punë më të vështirë pati Golden State, por që ia doli të mbrojë rekordin në shtëpi ndaj Dallas Mavericks në fitoren 128-120.

San Antonio që luajti pa lojtarët kryesorë Leonard dhe Green, krijoi epërsi të madhe në fund të pjesës së parë prej plot 15 pikësh.

Megjithatë, pjesa e dytë ishte rikthim për Memphisin, që në çerek të tretë e zvogëloi epërsinë në vetëm gjashtë pikë. Deri në fund Memphisi u përpoq që të bëjë sensacionin, por Spurs nuk lejoi befasi në çerek të katërt duke mbyllur ndeshjen me fitore.

Më i miri ishte Lamarcus Aldridge me doubl-double fenomenal prej 32 pikësh e 12 kërcimesh dhe 2 topa të vjedhur, teksa te Memphisi ishte Green me 20 pikë ai që shkëlqeu.

Edhe ndeshja Golden State Warriors dhe Dallas u mendua që ka përfunduar në fund të pjesës së parë, megjithatë, edhe pa Noëitzkin, Dallas provoi të bëjë befasinë.

Në fund të pjesës së parë Golden State kishte një epërsi dyshifrore solide, teksa krejt në fund Dallas bëri përpjekjen për t’u kthyer por që rezultoi pa sukses.

Klay Thomnpson shkëlqeu me 40 pikë dhe 5 kërcime, e plot nëntë treshe të realizuara, teksa Stephen Curry e ndjeku atë me 33 pikë e 8 kërcime e 4 topa të vjedhur.

Golden State Warriors vazhdon të mbajë vendin e parë në Konferencën Perëndimore me katër fitore më shumë se San Antonio edhe pse të dyja ekipet po bëjnë historinë këtë sezon si prej më të mirave ndonjëherë në NBA. Përballja e tyre në play off të Perëndimit është e pashmangshme. /Telegrafi/

Exit mobile version