San Antonio Spurs ka arritur që të sigurojë për sezonin e 21-të radhazi në histori kuailfikimin në playoff me fitoren prej 98-85, por ka kohë që teksanët nuk kanë pasur kaq shumë vështirësi për të siguruar një vend në fazën pas sezonit të rregullt për shkak të konkurrencës së madhe.
LaMarcus Aldridge me 15 pikë e 14 kërcime ishte fenomenal në fitoren e Spurs që vulosi playoffin, teksa kontribuan shumë edhe Rudy Gay me 18 pikë dhe 40 vjeçari Manu Ginobili me 17 pikë nga banka.
Oklahoma City u desh të kthehej nga një disavantazh prej 20 pikësh në çerekun e parë ndaj Miamit për të fituar në fund me rezultat 115-93.
Ekipi triumfoi falë performancave të mëdha të lojtarëve si Paul George që shënoi 27 pikë nga pesë treshe dhe Russell Westbrook që arriti triple double fantastik me 23 pikë, 18 kërcime dhe 13 asistime.
New Orleans Pelicans nuk kishte probleme ndaj Clippers tashmë të eleminuar duke triumfuar me rezultat 113-100 në këtë duel.
Formë të lartë kanë treguar edhe lojtarët e Denverit të cilët në ndeshjen kruciale pas fitoreve të rivalëve tjerë, gjunjëzuan Portlandin me rezultat 88-82 për të vazhduar rrugëtimin drejt playoffit.
Me një ndeshje të mbetur në sezon, vendi i fundit që ka mbetur i lirë për playoff do të diskutohet në përballjen direkte mes Minnesotas dhe Denverit që zhvillohet të enjtën. Fituesi kualifikohet në playoff.
https://www.youtube.com/watch?v=S4qH2Q0_kbA
Aktualisht gjendja tabelare garanton disa super duele në rrethin e parë të playoffit.
Oklahoma gjendet në vendin e shtatë dhe mund të përballet me Golden Staten që është në vendin e dytë, ndërsa San Antonio është në vendin e gjahtë dhe mund të përballet me Portlandin që është në vendin e tretë. Houstoni pret kush do të kualifikohet në playoff mes Denverit dhe Minnesottas, por që të dy këto skuadra janë të vështira për teksanët.
/Telegrafi/