Trajneri i ri i Argjentinës, Jorge Sampaoli ka shpjeguar thirrjen e Mauro Icardit në kombëtare, teksa ka theksuar që ekipi do të ndërtohet rreth Lionel Messit dhe kombëtarja ka kualitetet e duhura për kualifikim në Kupën e Botës.
Sampaoli u paraqit në media këtë mbrëmje pasi dha dorëheqjen nga Sevilla, ku diskutoi rreth situatës së Icardit.
Sulmuesi i talentuar është injoruar për shumë vite pavarësisht se është titullar dhe shënon gola në njërën nga skuadrat më të mëdha në një Ligë të ashpër si Serie A.
“Thirrja e tij në kombëtare vjen shkaku i paraqitjeve të tij të mira në nivel klubi”, ka theksuar fillimisht Sampaoli.
Argjentinasi foli edhe për yllin e kombëtares, Messi, i cili thuhej se ka pasur një raport të tensionuar me kapitenin e Interit, teksa theksoj që ekipi do të ndërtohet rreth tij pasi është futbollisti më i mirë në botë.
“Ne duam që lojtari më i mirë në botë të ndihet i lumtur këtu. Gjëja e rëndësishme është që ai ka lojtarë që janë në përputhje me të”.
“Ne duhet të ndërtojmë një ekip që respekton historinë e futbollit argjentinas, kështu që po vëzhgoj 100 lojtarë. Duam që ata që veshin këtë fanellë të jenë në gjendje të tregojnë cilësinë e tyre”.
“Ka vështirësi të vërteta në grupin e Kupës së Botës, por kemi atë që duhet për t’u kualifikuar”, përfundoi trajneri argjentinas. /Telegrafi/