Site icon Telegrafi

Samiti i vendeve të B40, Begaj: Ballkani ka nevojë për më shumë bashkëpunim e dialog me njëri-tjetrin

Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij në samitin e vendeve të B40, ka deklaruar se nevojitet më shumë bashkëpunim e më shumë dialog që i sheh problemet si mundësi zhvillimi.

Kreu i shtetit u shpreh se nuk mund të ketë mirëqeverisje nëse nuk dëgjohen të gjithë zërat në vendimmarrje.

“Ne do ju japim një të mirë të madhe. Shtëpia e shqiptarit është dhe e mikut dhe e zotit. Shqipëria është vendi i mikpritjes dhe bujarisë.

Nisma juaj është angazhim serioz për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo përbën vlerë të shtuar në marrëdhëniet tona sepse krijon mundësi për bashkëpunim në nivel lokal. Rrjeti juaji ka të gjitha mundësitë që të jetë shembull suksesi për një të ardhme gjithpërfshirëse.

Në Ballkan gjen shkrirjen e shumë kulturave, ideve dhe inovacionit.

Ballkani ka nevojë për më shumë bashkëpunim me njëri-tjetrin, më shumë ndërlidhje, më shumë dialog, që i sheh problemet si mundësi zhvillimi dhe përqendrohet te ajo që na bashkon.

Në këtë kontekst qeverisja lokale luan një rol të rëndësishëm. Ky është niveli ku politikat e ndërmarra ndihen drejtpërdrejtë nga qytetarët. Kjo nënkupton qeverisje lokale më të ndjeshme ndaj ambientit, me demokraci të kapilarizuar dhe llogaridhënie të konsoliduar”, tha Begaj.

Presidenti vuri theksin më tej te nevoja për zhvillimin e administrimit të qytetit. Ai deklaroi se shërbimet duhet të jenë cilësore dhe vizioni të jetë i qartë. Më tej, Begaj përgëzoi punën e bërë nga Kryebashkiaku Veliaj, në Tiranë, duke u shprehur se në 10 vitet e fundit, kryeqyteti ka gjetur balancën mes zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë.

“Dua të theksoj tre aspekte: Së pari, qeverisja demokratike dhe transparente: nuk mund të ketë mirëqeverisje pa u dëgjuar të gjitha zërat në vendimmarrje.

Së dyti, ulja e varfërisë dhe qëndrueshmëria: i gjithë komuniteti duhet të jetë pjesë e politikave tuaja zhvillimore.

Së treti, përgatitjen për rreziqe të paparashikuara.

Tirana gjatë 10 viteve të fundit, ka treguar se di të gjejë balancës me zhvillimit ekonomik dhe  qëndrueshmërisë, përtëritjes kulturore dhe inovacionit teknologjik. Ka ende shumë punë për të bërë.

Duhet zhvilluar vizioni i administrimit të qytetit, nuk është çështje sasie, por cilësie. Shërbimet duhet të jenë cilësore dhe vizioni të jetë i qartë”, tha Begaj./RTSH

Exit mobile version