Site icon Telegrafi

Samiti i BE-së, 6 dhjetori ditë pushimi në Tiranë

E marta e gjashtë dhjetorit do të jetë ditë pushimi në Tiranë.

Qeveria ka marrë vendimin për shkak se në kryeqytet do të mbahet Samitit i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu në këtë ditë opozita ka paralajmëruar të mbajë një protestë kundër qeverisë.

Agjenda e Samitit

A2 CNN ka mësuar se për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve do të angazhohen më shumë se 1,200 efektivë policie, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit.

Pas mbërritjes së tyre në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Pas pritjes zyrtare të delegacioneve nga kreu i qeverisë shqiptare, takimi me dyer të mbyllura është parashikuar të nisë rreth orës 10:30.

Në këtë tryezë do të diskutohen çështjet si Lufta në Ukrainë, kriza e energjisë, çmimi i naftës dhe gazit, siguria, sfidat e klimës si dhe bursat për të rinjtë. Një pikë që ende nuk ka arritur në finalizim mbetet heqja e tarifave roaming për telefonatat mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Agjenda e samitit do të vijojë me takime dypalëshe ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, ndërsa me interes pritet një ballafaqim i mundshëm mes presidentit Emmanuel Macron dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçic, si dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që mbetet ende për t’u konfirmuar.

Punimet e samitit parashikojnë edhe një foto familjare që do të realizohet në Sheshin Italia. Më pas, kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve.

Ardhja e Emmanuel Macron do të shënojë vizitën e parë të një presidenti francez në vendin tonë. Liderët kryesorë të unionit pas përfundimit të Samitit do të largohen nga Shqipëria brenda ditës të shoqëruar me të njëjtin protokoll sigurie. /Telegrafi/

Exit mobile version