Telegrafi

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Prishtinë – Qeveria ndan 92 mijë euro për subvencionimin e tij

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 92 mijë eurove për subvencionimin e Samitit të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “The Economist”, që u mbajt dje në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova dje u bë pjesë e hartës së konferencave ndërkombëtare të kësaj reviste prestigjioze.

“Organizimi i këtij Samiti në Prishtinë ndikon në promovimin e shtetit tonë, andaj pikë të 11 e kemi ndarjen e mjeteve buxhetore për subvencionimin e këtij samiti”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se gjatë ditës së martë Kosova ka qenë nikoqir i një prej konferencave më të rëndësishme rajonale.

“Konferenca e Samitit të Ballkanit Perëndimor ka mbledhur politikanë, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademikë. Bizneset kosovare kanë dhënë kontribut për të mbështetur këtë konferencë. Por për mjetet shtesë, Qeveria do ta mbështesë me 92 mijë euro që do të merren nga shpenzimet e paparashikuara”, tha Murati. /Telegrafi/