Sipas rekomandimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Qendra për Perspektivë Evropiane, Drejtori i Komunikimit dhe Diplomacisë Publike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Sami Kastrati, i cili më herët kishte shërbyer si zëvendësambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është përzgjedhur në Bordin Drejtues të Projektit për Diplomaci Digjitale për Evropë.
“Ne, ju ftojmë juve, që të shërbeni në një ulëse në Bordin Drejtues. Ju, jeni rekomanduar si një person me nivel të rëndësishëm të njohurive, përvojës dhe dedikimit – të gjitha këto do të shërbejë si një kontribut me vlerë në këtë Bord. Si një anëtarë, ju pritet që të sillni, brenda arsyes dhe kufizimit Tuaj, njohuritë dhe opinionet e Juaja, që të ndihmoni në formësimin dhe lëvizjen përpara të këtij projekti”, thuhet në letrën e ftesës të adresuar tek Kastrati nga koordinatori Digjital, Byroja për Çështje Evropiane dhe Euro-aziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, Matt Jacobs dhe koordinatorja e Projektit nga Qendra për Perspektivë Evropiane, znj Ingrid Omahna.
“Përzgjedhja ime në Bordin Drejtues të Diplomacisë Digjitale për Evropë nuk është vetëm një mirënjohje për mua dhe përpjekjet gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Ministria e Punëve të Jashtme, që të forcojë Diplomacinë Digjitale, por, gjithashtu, edhe për përkushtimin e Kosovës dhe qytetarëve, që të përqafojnë artin e qeverisjes së shekullit njëzet e një”, ka thënë Kastrati, pas përzgjedhjes.
Siç njofton MPJ, projekti fokusohet në rritjen e kapaciteteve kolektive të anëtarëve për të vepruar në mënyrë efektive brenda hapësirës së informacionit digjital dhe do të ndihmojë në lehtësimin e zhvillimit të partneriteteve strategjike me organizatat ndërkombëtare, akademikët, think-tank, shoqërinë civile kompanitë e teknologjisë, në mënyrë që të zhvillohet një bashkëpunim i fuqishëm në prioritetet e përbashkëta. /Telegrafi/