Shkrimtari i njohur Salman Rushdie është sulmuar sot gjatë një fjalimi të mbajtur në New York. Ai është therur me thikë dhe pas intervenimeve të policisë është dërguar me helikopter në spital për tretman.
Gjithashtu është konfirmuar se sulmuesi i shkrimtarit Rushdie, është arrestuar nga policia. Policia e New Yorkut ka njoftuar se shkrimtari ka pësuar lëndime në “qafë” nga sulmi me thikë, transmeton Telegrafi.
“Sot më 12 gusht të vitit 2022, rreth orës 11, i dyshuari ka vrapuar drejt skenës dhe ka sulmuar Rushdie dhe moderatorin. Rushdie ka pësuar lëndime në qafë dhe është dërguar me helikopter në spital. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e panjohur. Në anën tjetër moderatori ka pësuar lëndime në kokë”, thuhet në raportin e policisë.
Kujtojmë që Rushdie është kërcënuar me vdekje për shkak të librit e tij Vargjet Satanike”, e sulmi i tij ndodhi sot derisa po mbante një fjalim në New York – e pamjet e pak çaste pas sulmit janë publikuar në rrjetet sociale.
Në video shihet Rushdie duke qëndruar i shtrirë në skenë dhe njerëzit duke vrapuar për t’i dhënë ndihmën e parë. Akoma mbetet e paqartë në çfarë gjendje shëndetësore është, kurse burri që e sulmoi është arrestuar. /Telegrafi/