Site icon Telegrafi

Sallonet e ondulimit që presin me padurim verën

Që nga larg dëgjohet zhurma e tharëseve të flokëve. Radha e femrave që presin nga orët e hershme të mëngjesit ka mbërritur deri tek dera e sallonit të bukurisë në mesditë. Të gjitha po bëhen gati për dasmën e radhës.

“Unë kurrë nuk shkoj dy herë me të njëjtën frizurë në të njëjtën darsëm”, thotë Fera, për Gazetën Fjala, e cila kësaj radhe ka zgjedhur një stil indian, me flokët e dredhura dhe me një pikë në ballë. Ajo ka shpenzuar afro 60 euro për këtë ndryshim dhe është vetëm fillimi i “sezonit të dasmave”.

Dikush tjetër ka zgjedhur një frizurë më ndryshe ndërsa disa gra derisa presin në radhë shohin katalogun në sallonin afër “Xhamis së Llapit”, ndërsa nuk pyesin për çmime.

Çmimi për një rregullim tek frizerja sillet nga 10 euro deri në mbi 100 euro. Vlora nga Prishtina thotë se gjatë verës shpenzon bukur shumë. “35 euro për grim e flokë. Jam mësuar kështu”, thotë ajo për Gazetën Fjala. Si Vlora edhe shumë femra të intervistuara tjera thotë janë mësuar me këtë stil jete derisa në mesatare thonë se shpenzojnë afër 70 – 100 euro nëpër sallonet e bukurisë në Prishtinë.

Buqja, pronarja e lokalit “A-A”, thotë se kërkesat e klientëve të saj janë nga më të pazakontat. Sidomos tani kur u shtohet edhe numri i klientëve bashkë me fitimet. “Verës vinë nga jashtë shumë, kryesisht prej Gjermanisë , Zvicrës etj, kërkesat e klientëve janë të ndryshme disa vetëm flokët, disa grim e flokë, varet”, thotë ajo.

Nuk tregon se sa fiton nga një klient, por me shaka thotë se nuk është për tu ankuar. Megjithatë ka edhe nga klientët që ankohen me punën e salloneve të bukurisë. “Pasi kam shkuar në shtëpi është dashur të pastrohem dhe të rregullohem vetë”, thotë e nervozuar një grua, e cila nuk pranon ti përmendet emri.
Megjithatë, përsëri ia ka mësyrë derës së frizerës për tu rregulluar për dasmën në të cilën e kanë ftuar.

Qershori, korriku dhe gushti, tashmë janë kthyer në muaj të shpenzimeve marramendëse të kosovarëve në dasma, pjesë e të cilave pandashëm janë edhe shpenzimet e bukurisë.

Por, nuk është vetëm sezoni i verës kur salloneve të bukurisë u shtohet puna. Lulzim Miftari nga salloni “Twins”, tregon se edhe gjatë muajve tjerë, sidomos për festa të ndryshme është shtuar kërkesa për shërbime estetike. “Ka edhe verës shumë ama edhe dimrit kemi punë pasi që kemi festa të ndryshme”, thotë ai.
Megjithatë, e veçantë e sezonit të verës është se klientët në përqindjen më të madhe janë nga diaspora./Gazeta Fjala/Telegrafi/

Exit mobile version