Site icon Telegrafi

​Salih Mustafa zgjedh të mos deklarohet para trupit gjykues, Specialja pritet ta shpall aktgjykimin

Salih Mustafa nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të folur në fund të procesit gjyqësor kundër tij në Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë. Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse nga të gjitha palët, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ka thënë turpit gjykues se nuk do të flas meqë sipas tij i ka thënë të gjitha në fillim të këtij procesi.

Kryetarja e turpit gjykues, Mappie Veltd Foglia ka kërkuar nga Salih Mustafa që të konfirmojë qëndrimin e tij se nuk do të përdorë të drejtën për të folur i fundit.

“Po zonja gjyqtare, nuk do ta shfrytëzoj këtë të drejtë për shkak se jam i bindur se i kam thënë të gjitha në fjalën time hapëse që iu kam drejtuar panelit”, ka thënë Salih Mustafa.

Me këtë ka përfunduar seanca në cilën janë dëgjuar deklaratat përmbyllëse nga palët.

Mbrojtja e Salih Mustafës ka kërkuar që ai të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat që prokuroria ka ngritur mbi të, ndërsa kjo e fundit të martën i ka kërkuar trupit gjykues që Salih Mustafën ta dënojë me 35 vjet burgim, njofton KP.

Ndërsa, mbrojtësja e viktimave ka kërkuar nga trupi gjykues të urdhërojë Mustafën të paguajë zhdëmtim viktimave që pretendohet të jenë në këtë çështje, individualisht.

Tanimë i është hapur rrugë shpalljes së aktgjykimit që sipas turpit gjykues do të ndodhë në kohën e duhur.

Lexo po ashtu Avokatja e viktimave kërkon dëmshpërblim, mbrojtja e Mustafës thotë se ai duhet të shpallet i pafajshëm

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Kurse, mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruara i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur është arrestuar.

Exit mobile version