Telegrafi

Salianji: Largimi i Rrumbullakut politik, Rama e përdori dhe e flaku

“Shkarkim me ceremoni, largim i detyruar”. Kështu e komenton deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, njëherësh nënkryetar i grupit parlamentar, largimin e kreut të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Gjatë një konference për mediat nga selia blu, Salianji pohoi se largimi i Rrumbullakut erdhi pas përdorimit politik nga Kryeministri Edi Rama. “Ishte një dorëheqje e detyruar për të bërë ndryshimet e detyruara nga PS, për të tentuar që t’i shërbejnë grupeve kriminale.

Sot ia tregoi qartësisht se pasi i përdor politikisht mirë e mirë, i shtrydh i përdor dhe më pas i flak në rrugë”, tha Salianji, shkruan A2 CNN. Sipas deputetit demokrat, u ndikua edhe nga gjetjet e komisionit hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS, punën e të cilit e drejtoi Salianji.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, lëvizjet në Policinë e Shtetit i konsideron si politike ndaj ka bindjen se nuk do kenë efekt në luftën kundër krimit. “Nuk ka komente më për policinë e Edi Ramës, nuk është më Polici e Shtetit, por është polici private. Skandalet e shumta që kanë ndodhur këto kohë, nuk shpëlahen me ndërrime drejtuesish. Siç ka ndodhur dhe në të kaluarën që për të mbuluar skandale janë ndërruar drejtorë”, tha Meta.

Sipas Metës problemi kryesor është Rama dhe sipas tij kryeministria është strofull krimi. /Telegrafi/