Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas raportimeve lidhur me kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbime softuerike”.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sahatçiu e ka quajtur lajm tendencioz dhe qesharak.
“Shumë pikëpyetje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.” Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë është qesharak. Nëse është dikush në kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer – jam unë. Dhe unë, jam edhe nënkryetare e kryeqytetit nga PDK”, tha ajo.
Tutje shtoi se pas pajisjes me informatat e gjithë procesit, do të prononcohet me detaje.
“Nuk njihem për nguti. Derisa pres të pajisem me të gjitha informatat dhe materialet e këtij procesi nga kërkesa e parashtruar tek Kryeshefi i ndërmarrjes për konstatim përfundimtar, do të mbaj distancë në prononcime shtesë lidhur me këtë çështje”, theksoi më tej.
Sahatçiu premtoi se nuk do të ketë tolerancë e as heshtje në keq-qeverisje.
“Në ndërkohë ju siguroj që derisa jam në Kryeqytet, nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta. Aq më pak në digjitalizim. As tash, as kurrë”, u shpreh Sahatçiu.
Ndërkaq, grupi i Këshilltarëve Komunal i Vetëvendosjes, në Kuvendin Komunal të Prishtinës, në reagimin e tyre thonë se nuk ka qenë krejt e panevojshme që një kontratë e tillë të bëhet në formën si ka ndodhur.
“Nuk ka pasë asnjë emergjencë që e njëjta të bëhet me procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës”.
Sipas tyre, më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullores se re të “Prishtina Parking” që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje.
Tutje LVV kanë ftuar organet kompetente t’i fillojnë hetimet për siç thonë keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike./Telegrafi/