Telegrafi

Sahatçiu mohon se asamblistja e LVV-së kaloi në PDK përmes kërcënimit

Donjeta Sahatçiu dhe asamblistja e sapoaderuar Berna Saraçi

Nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, i ka mohuar pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, se asamblistja Berna Saraçi, ka kaluar në Partinë Demokratike të Kosovës, me anë të shantazhit dhe kërcënimeve.

Përmes një reagimi në Facebook, Sahatçiu, kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje, t’i publikojnë kërcënuesit e pretenduar dhe të mos flasin pa dëshmi.

“Refuzoj të pranoj që mundemi me hedh hije publikisht mbi këdo me pretendime pa asnjë dëshmi. Sikurse, refuzoj të pranoj të hesht kur njërën nga ne, një grua të re, super çikë të Prishtinës, ndër të paktat ato gra që megjithatë hyjnë në politikë, përpjeken t’a viktimizojnë se gjasmë e vetmja arsye pse ajo mund të guxojë të vendosë ndryshe është mesiguri për shkak se nuk ka mundur të përballojë kërcënimet e shantazhet. E dhimbshme, përveç se seksiste”, ka thënë ajo.

Pretendimet e LVV-së, sipas Sahatçiut janë përpjekje për t’i dekurajuar mendimet ndryshe “dhe veprimet e guximshme”.

Lexo po ashtu LVV-ja pretendon se asamblistja e tyre kaloi në PDK pasi u kërcënua ajo dhe familja e saj: Të fillojnë hetimet

Ndryshe, gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, ka pretenduar se ish-asamblistja e tyre, Berna Saraçi, ka kaluar në Partinë Demokratike të Kosovës, pa vullnetin e saj.

Në reagimin e VV-së, thuhet se Saraçi dhe familja e saj u kërcënuan dhe u shantazhuan nga “eksponentë të partive të pushtetit lokal”.