Një pjesë e autostradave në Gjermani e kanë shpejtësinë e lëvizjes të pakufizuar, dhe propozimi për të kufizuar shpejtësinë në 130 km/orë është vënë vazhdimisht në agjendë nga Partia e Gjelbër.
Pothuajse çdo gjashtë muaj, parlamenti gjerman, Bundestagu, voton për kufizimet e shpejtësisë në autostradat e vendit, transmeton Telegrafi.
Çdo herë, edhe në këtë rast, shumica qeverisëse e CDU/CSU dhe SPD ka hedhur poshtë propozimin, por është interesante që po krijohen çarje edhe në koalicionin e madh.
Edhe Klubi gjerman i Automjeteve (ADAC) e ka zbutur qëndrimin e saj, kështu që nuk është më kundër kufizimit të shpejtësisë.
Si do të përfundojë e gjitha, do të shohim, por motivet kryesore të atyre që duan kufizime janë ekologjia dhe siguria në trafik. /Telegrafi/