Telegrafi

Sadio Mane: Lufta për titull në Ligën Premier ka përfunduar, synimi ynë është fitimi i Ligës së Kampionëve

Sadio Mane ka pranuar se mbrojtja e titullit në Ligën Premier ka përfunduar, duke deklaruar se diferenca e pikëve midis Liverpoolit dhe Manchester Cityt është thjesht shumë e madhe për t’u kapërcyer, ndërsa synimi i Reds tani është fitimi i Ligës së Kampionëve.

Sulmuesi i Liverpoolit ka folur për sezonin që po përjeton ekipi nga Anfield, me ‘dështimin’ në Angli dhe synimin për trofe në Evropë.

“Së pari, para fundit të sezonit mendoj, jo vetëm unë, por çdo lojtar i vetëm në skuadër ka objektiva”, ka thënë fillimisht Mane për ESPN Brasil.

“Është e njëjta gjë për klubin, qëllimi ynë që nga fillimi ishte fitimi i Ligës së Kampionëve, Liga Premier dhe gjithashtu Kupa”.

Lexo po ashtu Evertoni e mposht Liverpoolin në “Anfield Road”, kampionët në krizë të thellë në kampionat

“Dhe tani, mund të them se ka përfunduar për Ligën Premier … është shumë diferencë e madhe”.

“Në kokën tonë, vetëbesimi ynë, gjithmonë është ‘kurrë mos u dorëzo’, dhe ne nuk do të dorëzohemi, por me siguri, Manchester City është një ekip i mirë dhe ata po fluturojnë”.

“Top katërshja tani synimi ynë kryesor në ligë. Por, Liga e Kampionëve, ky është synimi ynë kryesor, kryesor, kryesor”.

“Për ta fituar atë, mos të jemi të dytit, por nuk do të jetë e lehtë”.

Lexo po ashtu Ndryshon në formë drastike parashikimi  i super kompjuterit për fituesin e mundshëm të Ligës së Kampionëve

“Ne do të përballemi me ekipet më të mira në Evropë, por jemi këtu për të mposhtur më të mirët në botë”.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të shkuar përpara dhe për të fituar Ligën e Kampionëve”, përfundoi sulmuesi i Reds. /Telegrafi/