Armando Sadiku po përjeton momentin më të mirë të tij. Sulmuesi nga Elbasani është shndërruar në heroin e futbollit shqiptar duke shënuar golin e fitores ndaj Rumanisë në Evropianin e Francës e duke i dhënë mundësinë kombëtares sonë që të ëndërrojë për një kualifikim të mundshëm në 1/8 e finaleve.
Në një intervistë për të përditshmen Corriere dello Sport, Sadiku foli për të gjitha emocionet që e përshkuan në momentin e këtij goli historik për kuqezinjtë.
“Që këtu ende nuk arrij ta kuptoj, por shumë njerëz më kanë marrë në telefon. Pastaj janë shokët e mi të skuadrës që ma kujtojnë gjithnjë këtë gol. Sa më shumë kalon koha, aq më i lumtur jam që të gjithë së bashku arritëm diçka madhështore. Shokët e mi më thonë gjithnjë se ka futbollistë të tjerë më të mirë që nuk kanë shënuar në këtë Evropian, kurse unë e bëra një gjë të tillë”, deklaroi Sadiku, transmeton TCH.
Shpresa që Shqipëria të kalojë mes 16 më të mirave është shumë e madhe për sulmuesin e kombëtares shqiptare.
“Shpresojmë sepse jemi një skuadër që luajmë mirë kur bëhet fjalë për një ndeshje të vetme. Aty ne japim gjithçka, ndërsa në grup lëshuam pak për fat të keq. Por tani shohim ekipet e tjera dhe bëjmë tifo. E nisëm pak me ndrojtje këtë Evropian, por tani jemi gati. Shpresojmë që ta luajmë edhe një ndeshje tjetër për ta treguar këtë”, është shprehur ai.