Goli i tij ka ngjallur emocione të papërshkueshme goli i Armando Sadikut në familjen e tij. Babai i sulmuesit të kombëtares kuqezi thotë se i biri diti t’ia shpërblente besimin trajnerit, por edhe bëri krenar të gjithë kombin shqiptar.
Babai i Armando Sadikut, golashënuesi që i dha trepikëshin kombëtares sonë rrëfen ankthin para ndeshjes me Rumaninë.
Durim Sadiku thotë se derisa filloi ndeshja, nuk e dinin nëse trajneri i kuqezinjve do t’i besonte sërish të birit duke e aktivizuar në fushë, çka sulmuesi ia shpërbleu më së miri me gol.
“Kjo ka qenë dhe një nga dëshirat e djalit tim, të shënonte që ta nderonte dhe ta justifikonte besimin që i dha trajneri që e aktivizoi dhe e vuri titullar. Nuk është e lehtë të jesh titullar në sulmin që ka prezent trajneri De Biasi, Shqipëria luan me një sulmues. Është e vështirë por djali im me punë dhe shyqyr Zotit shënoi dhe atë golin dhe nderoi të gjithë tifozët, gjithë Shqipërinë”, ka deklaruar babai.
Me profesion mësues i Edukimit Fizik, babai i sulmuesit kuqezi Sadiku, rrëfen se emocionet e çastit të golit ishin të paimagjinueshme.
“Kur e pamë që ishte dhe djali ynë në formacion kishim emocione të papara. Pastaj emocionet erdhën duke u shtuar, kur u shënua dhe goli ishin emocione të paparashikuara, komplet si familje kemi flutuar në ajër, në qiellin e shtatë”, ka theksuar babai i sulmuesit.
Falë golit të Armando Sadikut, Shqipëria ka portën e hapur për të vijuar rrugëtimin në garën e futbollit evropian.