Shqipëria kaloi me sukses Lihtenshtejnin, një detyrë shtëpie në fakt, dhe tashmë po mendon për sfidën e së martës me Maqedoninë në Strumicë.
Vendi i tretë kalon pikërisht nga aty, ndërkohë që Izraeli u mposht nga maqedonasit dje dhe një fitore e kuqezinjve do bënte që Shqipëria edhe të ëndërronte vendin e dytë.
Gjithsesi fokusi është te 90 minutat me Maqedoninë. Motivimi te Kombëtarja është në nivelet e duhura dhe të gjithë janë optimistë se mund të fitojnë sërish, sikurse bënë në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”.
Për këtë ndeshje ka një lajm të mirë, pasi stafi mjekësor ka konfirmuar në Supersport se Armando Sadiku do të jetë i gatshëm për trajnerin Panucci. Sulmuesi ka lënë pas problemet shëndetësore dhe pritet të jetë titullar ndaj Maqedonisë.
Ndaj Lihtenshtejnit në majë të sulmit luajti Azdren Llullaku, por dihet që ai nuk është pozicioni i tij natyral. Mbetet për t’u parë kush do të luajë krahun e majtë të mesfushës, ku u aktivizua Eros Grezda.