Kur trajneri italian Gianni De Biasi e thirri në Francë, Armando Sadikut i qepën një fanellë gjigante në Elbasan.
Bluzën e kombëtares me numrin 10, ia varën edhe në muret e Kalasë, në shenjë respekti dhe nderimi.
Por pak vite më parë talenti i Armando Sadikut nuk u vlerësua sa duhej. Në qytetin ku nisi karrierën sportive, Sadiku nuk arriti të gjejë vend në formacionin e Klubit të Futbollit.
Ndërhyrjet nga lart dhe miqësitë kanë qenë më të forta se talenti dhe rezultati në fushë.
I dënuar me dy vite nga Federata e Shqipërisë në Futboll për shkak të një gjesti jo-sportiv dhe i pakënaqur me gjithçka që e rrethonte, Sadiku emigroi jashtë vendit dhe u aktivizua në ekipet zvicerane më saktësisht në Lugano.
Siç tregoi vetë Armando, vlerat nuk i mungonin. Hyri në histori, me atë gol që shënoi natën e kaluar në stadiumin e Lionit, duke lënë për drejtuesit e skuadrës në Elbasan një shans të humbur për futbollistin që dha kombëtares fitoren e parë në një kampionat Evropian.