Legjenda e Milanit, Arrigo Sacchi, ka thënë se trajneri aktual i Rossonerëve, Stefano Pioli, e ka befasuar dhe ka qenë protagonist në rikthimin e skuadrës drejt paraqitjeve të mira.
54-vjeçari e zëvendësoi Marco Giampaolon kur kuqezinjtë ndodheshin në vend të 13-të në tabelë, ndërsa tash skuadra shpreson për një vend në Ligën e Evropës.
Rrugëtimi i sukseseve vazhdoi me fitore të rëndësishme, sidomos ndaj Lazios dhe Juventusit, si edhe barazimi ndaj Napolit në San Paolo.
“E njoh Stefanon qe një kohë të gjatë, gjithmonë e kam respektuar dhe mendoj se është një njeri i shkëlqyer, kam menduar se është trajner i mirë, por jo modern”.
“Ndërsa tash, ai nuk i posedon vetëm vlerat profesionale dhe morale në nivelin më të lartë, por është duke më befasuar me përmirësimet e lojtarëve brenda pak muajsh dhe për idetë që i kanë mundësuar këto transformime”, ka deklaruar Sacchi për La Gazzetta dello Sport. /Telegrafi/