Bashkë me drejtorin e ri Gazmend Hoxha, Policia e Kosovës do të bëhet edhe me strukturë të re organizative.
Ajo u nënshkrua një ditë më parë nga Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Por, më shumë informacione rreth ndryshimeve që pritet të ndodhin nuk ka dhënë MPB-ja, e cila nuk i ka kthyer përgjigje RTV Dukagjinit.
Gjithsesi, sipas ish – kryeshefit të Inspektoratit Policor, Valdet Hoxha, struktura e re nuk mund t’i ikë asaj bazë.
“Struktura e Policisë së Kosovës tashmë është e etabluar dhe normalisht nuk mund të i ik atij standardi që e ka pasur deri tash. E kam parasysh për pesë departamente organizative, por që gjithmonë misioni i Policisë së Kosovës duhet të jetë në mbrojte të jetës e pronës së qytetarit të Kosovës”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka shtuar se ndryshimi i strukturës është normal me çdo ndërrim të drejtorit të përgjithshëm të Policisë.
“Duke pasur parasysh rolin edhe misionin e Policisë së Kosovës, një strukturë e re organizative dhe eventualisht ndryshimi i saj lindin si nevoje e organizimit operacional dhe po besoj që është një proces standard, sidomos me rastin e ndërrimit të udhëheqësit të Policisë së Kosovës”, ka përfunduar Hoxha.
Gazmend Hoxha është zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës më 8 mars të këtij viti. /Dukagjini/