Pas publikimit të shpenzimeve për derivate për veturë zyrtare të kryeministrit Ramaush Haradinaj dhe të zëvendëskryeministrave, Telegrafi publikon edhe shpenzimet për thirrje me telefon mobil, për të gjithë zyrtarët e lartë qeveritar.
Shpenzimet për thirrje me telefona mobil përfshijnë periudhën nga 9 shtator 2017, e deri më 31 janar 2018.
Telegrafi ka kërkuar qasje në dokumente publike për shpenzimet e drejtuesve të Qeverisë së Kosovës dhe ka marr përgjigje nga Zyra e Kryeministrit dhe të katër prej zëvendëskryeministrave, por jo edhe nga Behgjet Pacolli.
Për këtë përudhë vetëm për thirrje telefonike kryeministri Ramush Haradinaj ka shpenzuar mbi 518 euro.
“Në tetor ka shpenzuar 83.9 euro, në nëntor ka shpenzuar 92.49 euro, në dhjetor ka shpenzuar 226.23 euro kurse në janar të 2018 ka shpenzuar për telefon mobil 116.34 euro”, është thënë në dokumentet që ka siguruar Telegrafi, pas kërkesës për qasje në dokumente publike nga Zyra e Kryeministrit.
Në total Haradinaj ka shpenzuar për telefon mobil 518.96 euro.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj nga marrja e postit e deri më 31 janar ka shpenzuar vetëm për thirrje me telefon mobil mbi 593 euro.
“Në muajin shtator ka shpenzuar 48.94 euro, në tetor ka shpenzuar 77.15 euro, në nëntor ka shpenzuar 125.53 euro, në dhjetor ka shpenzuar 161.91 euro kurse në janar të 2018 ka shpenzuar për telefon mobil 179.63 euro”, kanë treguar Zyra e Kryeministrit.
Pra në total, Hoxhaj ka shpenzuar për të komunikuar me telefon mobil 593.16 euro.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq, ka shpenzuar për telefon mobil mbi 289 euro.
Sipas të dhënave, Jevtiq në shtator ka shpenzuar 78, 46 euro, në tetor 69.53 euro, në nëntor ka shpenzuar 53.39 euro, në dhjetor 43.97 euro kurse në janar të 2018 ka shpenzuar 44.2 euro”, kanë bërë të ditur nga Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit.
Në total nga marrja e postit më 9 shtator, e deri më 31 janar 2018, zëvendëskryeministri Jevtiq, ka shpenzuar nga buxheti i shtetit për telefon mobil 289.55 euro.
Por ka zëvendëskryeministra që shpenzimet për telefon mobil i mbulojnë nga buxheti vetanak.
Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, sipas Zyrës së Kryeministrit, nuk shpenzon para për telefon mobil, pasi nuk ka telefon zyrtar në përdorim.
“Sa i përket shpenzimeve për telefoninë fikse dhe mobile, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nuk ka telefon zyrtar në shfrytëzim”, kanë thënë në Zyrën e Kryeministrit për Telegrafin.
“Shpenzimet për telefoni fikse të zyrës së ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike, njëherësh zëvendëskryeministër, Dardan Gashi, që nga marrja e postit e deri më 31 janar të këtij viti, janë 150.60 euro”, është thënë në përgjigjet e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, pas kërkesës së Telegrafin për qasje në dokumente publike.
Shpenzimet e telefonit mobil, zëvendëskryeministri Dardan Gashi i mbulon vet kanë thënë në këtë ministri.
Ndërkaq në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), të cilën e drejton zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, nuk kanë kthyer përgjigje rreth shpenzimeve për telefon.
Madje, zyrtarët e MPJ-së, por edhe të kabinetit të Pacollit i kanë shkelur të gjitha afatet ligjore për të kthyer përgjigje pas kërkesë për qasje në dokumente publike. /Telegrafi/