Site icon Telegrafi

Sa iu bënë barrë buxhetit të Kosovës artistët të cilëve iu ndalua veprimtaria për shkak të pandemisë?

Viti 2020 nuk do të mbahet mend për të mirë nga artistët dhe krijuesit e artit në Kosovë.

Përgjatë këtij viti pandemik, si rrjedhojë e masave restriktive ata nuk patën mundësi që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre. Në këtë situatë, shteti u detyrua që të ndajë mjete financiare për këtë kategori.

Krijimtaria artistike ishte në plan të dytë për artistët kosovarë gjatë këtij viti të pandemisë COVID-19. Kjo pasi primare ishte mbijetesa financiare marrë parasysh që të ardhurat nga puna e përditshme e artistëve në 2020 ishin të pamundura të inkasohen njëjtë si në vitet e tjera.

Foto: MKRS

Akter kryesor i pezullimit dhe ndalimit të veprimtarisë ishin organet shtetërore të Republikës së Kosovës, vendimet e së cilave pamundësuan ushtrimin e shumë prej veprimtarive të degëve të artit. Rrjedhimisht artistë të shumtë nuk patën mundësi që përmes punës së tyre të sigurojnë të ardhurat e nevojshme për jetesë.

Mirëpo, as shteti nuk i la krejtësisht në baltë ata. Në një përgjigje të dhënë nga ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për Telegrafin, është bërë e ditur se gjatë vitit që lamë pas, për kulturën dhe krijuesit artistikë janë ndarë gjithsej 1 milionë e 685 mijë euro.

Shuma dërrmuese e këtij buxheti është ndarë për projektet kulturore, OJQ-të dhe individët.

“Gjatë vitit 2020 MKRS i ka ndarë për kulturën dhe krijuesit artistikë 1 milion e 685 mijë e 412 euro. Këto mjete janë ndarë nga kategoria e subvencioneve dhe janë ndarë në kategoritë:

1. Thirrje publike për projekte kulturore për OJQ dhe individ me shumë 1 milion e 531 mijë e 580 euro.

2. Thirrje publike për botimin e librit, blerjen e librit dhe botimin e revistave letrare me shumë prej 153 mijë e 832 euro”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për Telegrafin.

Mirëpo kjo nuk është ndihma e vetme që shteti ua dha artistëve në Kosovë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thekson se ndihma ka pasur edhe përmes fondit shtesë, si përgjigje ndaj dëmit që u shkaktua nga pandemia, rrjedhimisht ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë.

Vitin e kaluar, nga fondi i rimëkëmbjes përfituan 267 artistë, në një shumë totale prej 594 mijë e 897 eurove.

“Artistët janë ndihmuar me fonde shtesë si përgjigje ndaj dëmit të shkaktuar nga pandemia. Kjo mbështetje është ofruar nëpërmjet fondit të rimëkëmbjes. Fondi i Rimëkëmbjes për artistët është i planifikuar dhe është duke u zbatuar në dy faza. Tashmë, në fazën e parë nga Fondi i Rimëkëmbjes janë ndarë deri tani 594.897 euro dhe kanë përfituar 267 artistë”, thuhet tutje.

Kjo përkrahje, siç zotohet ministria do të vazhdojë edhe më 2021, dhe në ditët e para të vitit do të ndahen edhe 1.5 milionë euro, prej të cilave do të përfitojnë artistët që nuk kanë marrë ende para nga pakoja e parë.

Ashtu si kategoritë tjera që janë në barrën e shtetit, edhe artistët do vazhdojnë të jenë pikë përqendrimi e vëmendjes institucionale.

Foto: Facebook

Viti 2021 do të jetë viti ku shteti do të vazhdojë përkrahjen dhe tentativën që të normalizojë situatën e përgjithshme, në veçanti atë ekonomike të artit dhe artistëve.

Për Telegrafin, ministria e Kulturës thotë se ka planifikuar ta vazhdojë ndihmën.

“Ministria ka planifikuar që të vazhdojë ndihmën për artistët duke filluar menjëherë në muajin janar duke publikuar thirrje të reja për OJQ dhe krijues individual për të gjitha kategoritë artsitike. Poashtu do të vazhdojmë të ndajmë mjete nga Fondi i Rimëkëmbjes dhe Paketa e Rimëkëmbjes për artistët që janë dëmtuar drejtëpërdrejtë nga pandemia. Ne do të mbajmë kontaktin dhe komunikimin e drejtëpërdrejtë me komunitetin artistik në mënyrë që mbështetja jonë të jetë në përputhje me nevojat e tyre”, thotë MKRS në përgjigjen e dhënë për Telegrafin.

Planet e lartpërmendura të ministrisë së Kulturës për artistët mund të pësojnë ndryshime për shkak të situatës politike në Kosovë. Kjo pasi që në fund të janarit apo në fillim të shkurtit në vend pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, e ku ndërrimi i udhëheqësisë mund të përcillet edhe me veprime jashtë planifikimeve të mëhershme.

Në Kosovë aktualisht janë ende në fuqi masat kufizuese të vendosura nga qeveria, e të cilat afektojnë drejtpërdrejtë komunitetin e artistëve.

Në një situatë të tillë, buxheti i shtetit pritet të vazhdojë të jetë i ngarkuar me obligime ndaj krijuesve të artit në Kosovë. /Telegrafi/

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Exit mobile version